Në një ceremoni të organizuar në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), janë ndarë mirënjohje për pjesëmarrësit e trajnimit profesional që është mundësuar nga Agjencioni Rajonal Zhvillimor-Veri (ARZHV) dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Përveç rektorit, prof.dr.Alush Musaj, në ceremoni ishte e pranishme edhe ministrja, Vlora Dumoshi, mandej kryetari i komunës, Agim Bahtiri, kryesuesi i KK-së, Safet Kamberi  dhe drejtoresha ekzekutive e ARZHV-së, Rreze Duli.

Të pranishmit fillimisht i ka përshëndetur rektori, Musaj, i cili ka shprehur kënaqësinë që ky trajnim është zhvilluar në UMIB. Ai ka falënderuar ARZHV-në dhe MKRS-në për realizimin e këtij projekti, që u ka mundësuar shumë të rinjve aftësim për tregun e punës.

Sipas tij, bashkëpunimi me organizatat joqeveritare dhe biznesin hap mundësi të reja për universitetin, që është edhe qëllim në vete. “Ky projekt vë në pah rëndësinë  e hapjes së universitetit, duke e bërë atë një qendër të shkencës, të dijes dhe të zhvillimit ekonomik”, tha ai, duke shprehur  gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me të gjithë akterët jashtë universitetit, në të mirë të zhvillimit të përgjithshëm.

Ministrja Dumoshi, ka vlerësuar mbështetjen nga UMIB-i për realizimin e këtij projekti. Ajo ka premtuar vazhdimin e projekte të tilla jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në qytetet tjera.

I kënaqur me projektin është shprehur edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ndërsa drejtoresha e ARZHV-së, Rreze Duli, bëri të ditur se interesimi për t’u bërë pjesë e këtij projekti për aftësim profesional që është organizuar në Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri, ka qenë shumë i madh. “Janë rreth 400 pjesëmarrës në të tri komunat, që kanë ndjekur trajnime në fushën e dizajnit grafik, web-dizajn etj”, tha ajo.

Please follow and like us: