Qendra për Zhvillim të Karrierës (QZHK) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me IPKO Foundation për të mbështetur dhe bashkërenduar aktivitetet dypalëshe. Për këtë qëllim u nënshkrua edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve nga rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj dhe Abetare Gojani nga IPKO Foundation.
Rektori Musaj, e vlerësoi bashkëpunimin për mundësitë që do të krijohen për studentët e UIBM, të cilët do të bëhen pjesë e trajnimeve, seminareve dhe programeve që organizohen nga IPKO Foundation. “Aktivitetet e ngjeshura të QZHK-së janë duke dhënë rezultate shumë të mira sa i përket krijimit të mundësive për avancimin profesional të studentëve”, tha ai.
Ndërsa, Abetare Gojani nga IPKO Foundation, shprehu kënaqësinë që do të mund të bashkëpunojnë me UIBM për fusha me interes reciprok. “Ne jemi të përkushtuar që ta zbatojmë deri në fund Marrëveshjen e nënshkruar, duke pritur rezultate konkrete”, tha ajo.
Zyrtari i Lartë për Zhvillim të Karrierës, Alban Fazliu, i cili zhvilloi një takim në zyret e IPKO Foundation, sqaroi se më këtë bashkëpunim ndër të tjera synohet të promovohen përpjekjet e përbashkëta të dy institucioneve në sferën e avancimit të çështjeve me interes reciprok. Sipas tij, janë specifikuar fushat e bashkëpunimit, si bashkërendimi i aktiviteteve për afirmimin e çështjeve aktuale në fushën e avancimit të jetës akademike dhe profesionale, përafrimin e programeve të studimit me nevojat e tregut të punës, mbështetja teknike dhe organizative dypalëshe etj.