Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë u mbajt të enjten Ceremonia e Diplomimit për vitin akademik 2024/25. Përveç studentëve dhe ish-studentëve, të pranishëm ishin edhe drejtuesit e UIBM, profesorë, stafi administrativ, familjarë të studentëve të diplomuar, përfaqësues të biznesit, shoqërisë civile etj.
Të pranishmëve fillimisht me një fjalë rasti ju drejtua rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, e cila shprehu kënaqësinë për suksesin e studentëve. Ajo uroi studentët e diplomuar, familjarët e tyre dhe mësimdhënësit për angazhimin dhe suksesin e përbashkët. “Diplomimi i fëmijëve tuaj, studentëve tanë, është një moment që shënon jo vetëm një sukses personal, por edhe një reflektim të punës dhe angazhimit tonë të përbashkët”, tha ajo.
Rektorja theksoi se ky është një moment që mbyll një etapë dhe hap një tjetër për studentët, por prindërit dhe për universitetin. “Kemi rrugëtuar bashkë dhe bashkë ia kemi dal dhe bashkë do të vazhdojmë drejtë sukseseve të reja”, tha ajo, duke inkurajuar studentët që të ndjehen krenarë dhe të lumtur me të arriturat e tyre.
Në shenjë falënderimi dhe respekti për mbështetjen e vazhdueshme të biznesit dhe industrisë për UIBM, iu dha fjala drejtoreshës së “Londin School”, Albina Hoti. Ajo vlerësoi qasjen e drejtuesve të UIBM sa i përket bashkëpunimit me biznesit duke krijuar mundësi të shumta për studentët si për punë praktike ashtu edhe për punësim.
Për përvojën e saj si ish-studente në UIBM, foli Merita Fazlija, e cila tash punon si laborante në Qumështoren “Drena”. Ajo tha se përgatitja dhe dija e fituar në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore ka bërë që shumë studentë nga UIBM të gjejnë punë në kompaninë ku ajo punon, për çka falënderoi stafin akademik për përkushtimin e tyre.
Në emër të Parlamentit Studentor, studentët e diplomuar i ka uruar, kryetarja, Elmedina Kurti. Ajo vlerësoi punën e mirë dhe mundësitë e mëdha që ofron UIBM për studentët, të cilët janë duke u shquar me sukseset dhe të arriturat e tyre.
