Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) dhe Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare do të bashkëpunojnë për të mbështetur zbatimin e programit Kosovo Generation Unlimited (K-GenU), me fokus në angazhimin e të rinjve/studentëve përmes mundësive për punë praktike. Këtu përfshihet gjithashtu edhe trajnimi dhe mentorimi, me synim rritjen e pjesëmarrjes së tyre në aktivitete zhvillimore dhe lehtësimin e qasjes së tyre në tregun e punës.
Për të specifikuar fushat e bashkëpunimit të enjten u nënshkrua edhe një Memorandum Bashkëpunimi nga rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva dhe drejtori i OEGJK, Besnik Vllasolli. Të dy palët e vlerësuan se Memorandumi i Bashkëpunimit do të krijojë mundësi më të mëdha për zbatimin e programit K-Genu, duke hap perspektivë të mëdha për të rinjtë dhe specifikisht studentët.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi parashihet që Universiteti të angazhojë studentë/praktikantë përmes platformës digjitale K-GenU, me qëllim të përfshirjes së të tyre në programin e punës praktike. Gjithashtu janë paraparë edhe fushata informuese dhe rrjetëzim. Palët gjithashtu do të bashkëpunojnë në aktivitete informuese dhe rrjetëzimi që synojnë fuqizimin e të rinjve dhe lidhjen e tyre me mundësitë e karrierës përmes ndërmjetësimit me sektorin privat.
