Më 27 tetor 2025, në Fakultetin Juridik u mbajt një trajnim me temë “Të drejtat e njeriut dhe ndikimi i inteligjencës artificiale”, i udhëhequr nga znj. Bleona Ademi dhe i organizuar nga Reconciliation Empowering Communities – REC. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Rinia për ndryshim shoqëror në Mitrovicë”, një nismë që ka për qëllim fuqizimin e të rinjve, nxitjen e debatit shoqëror dhe promovimin e pjesëmarrjes aktive qytetare.
Fjalën hyrëse e mbajti dekani i Fakultetit Juridik, prof. dr. Islam Qerimi, i cili shprehu mirënjohjen për organizatën REC për realizimin e këtij trajnimi me rëndësi të veçantë për studentët. Ai theksoi se të drejtat e njeriut përbëjnë themelet mbi të cilat ngrihen shoqëritë demokratike dhe sundimi i ligjit, ndërsa zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale hapin një sërë sfidash të reja etike dhe juridike.
“Inteligjenca artificiale po sjell përfitime të jashtëzakonshme, por njëkohësisht ngre dilema të reja që lidhen me privatësinë, diskriminimin algoritmik dhe llogaridhënien. Si menaxhment i Fakultetit Juridik, mbetemi të përkushtuar të krijojmë hapësira të dijes, reflektimit dhe debatit kritik mbi këto çështje, duke përgatitur një brez të ri profesionistësh që do të mbrojnë të drejtat dhe dinjitetin njerëzor edhe në epokën digjitale,” u shpreh prof. Qerimi.
Trajnimi u zhvillua në tri sesione tematike:
- Hyrje dhe metodologjia e trajnimit,
- Kuptimi dhe parimet themelore të të drejtave të njeriut,
- Të drejtat sociale, ekonomike dhe kulturore.
Gjatë sesioneve, pjesëmarrësit morën pjesë në ushtrime praktike dhe diskutime interaktive, të cilat nxitën reflektim të thellë mbi ndikimin e teknologjisë në të drejtat themelore të njeriut.
Në përmbyllje të aktivitetit, studentëve pjesëmarrës iu ndanë certifikata pjesëmarrjeje, si vlerësim për angazhimin dhe interesimin e treguar.
Në këtë trajnim morën pjesë edhe prodekani i Fakultetit Juridik, prof. asoc. dr. Arbnor Ajeti, si dhe prof. ass. dr. Arta Dauti dhe prof. ass. dr. Mimoza Aliu, të cilët përgëzuan organizatorët dhe studentët për kontributin e tyre në trajtimin e një teme aktuale dhe me ndikim të madh shoqëror.
Aktiviteti u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve, duke theksuar rolin e tyre në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kohën e transformimeve teknologjike.
