Janë nënshkruar të hënën kontratat me dhjetë studentë për punë praktike me pagesë në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Ky projekt është mundësuar në kuadër të  programit “Kosovo Generation Unlimited (K-GenU)”.

Sekretari i Përgjithshëm i UIBM, Shkumbin Imeri, i ka uruar studentët e përzgjedhur për këtë projekt. Ai ka theksuar se përveç studentëve, me angazhimin e tyre do të përfitojë edhe Universiteti.

Studentët që kanë përmbushur kriteret e konkursit të shpallur dhe janë përzgjedhur fitues do të shpërndahen nëpër zyrat e administratës në UIBM. Sipas projektit, puna e tyre praktike me pagesë do të zgjasë 3 muaj.

Zyrtari i Lartë i Qendrës për Zhvillim në Karrierë në UIBM, Erzen Isufi, tha se ky projekt është mundësuar në kuadër të bashkëpunimit me Odën Ekonomike Gjermano – Kosovare. Në kuadër të këtij bashkëpunimi parashihet që Universiteti të angazhojë studentë/praktikantë përmes platformës digjitale K-GenU, me qëllim të përfshirjes së të tyre në programin e punës praktike.

Një projekt i tillë është realizuar edhe vitin e kaluar në UIBM.

Please follow and like us: