Në Fakultetin Juridik me rastin e 25 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Qendra për Zhvillim të Karrierës (QZHK) dhe Parlamenti Studentor i UIBM-së, organizuan një ligjeratë për trajtimin e kësaj teme.

Në këtë ligjëratë Mr. sc. Ramadan Beshiri, nga O.J.Q – Premisa, ligjërues i certifikuar nga Këshilli i Evropës dhe Akademia e Drejtësisë mbi modulin: Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, ka prezentuar të dhëna të shumta krahasuese sa i përket kësaj tematike nëpër periudha të ndryshme kohore në shoqërinë shqiptare si dhe në shoqëritë e huaja. Eksperti i kësaj fushe, Beshiri kritikoi pozitën e pabarabartë të gruas gjatë historisë njëlloj qoftë tek  ajo shqiptare apo e huaj. Ai shtoi se gruaja shqiptare ka luajtur një rol me rëndësi përgjatë historisë në zhvillimin dhe avancimin e shoqërisë dhe shtetit dhe ajo është edhe sot prezente në të gjitha instancat shtetërore. Mirëpo, një kritikë e veçantë ai pati sa i përket kufizimit të gruas në të drejtën e disponimit të pronës dhe të drejtës së trashëgimisë së pasurisë së paluajtshme si përgjatë historisë e edhe në kohën moderne. Gjithashtu, një këndvështrim hodhi edhe mbi kufizimet e grave në Evropë sa i përket të drejtave të votës, siç është rasti me Zvicrën, ku deri në vitin 1971 atyre u ishte mohuar një drejtë e tillë.

Në vazhdim eksperti Beshiri trajtoi edhe çështjen e mosmarrëveshjeve në mes të bashkëshortëve të cilat mund të shpien edhe në konflikte më të rënda që sjellin dhunën, qoftë psiqike, fizike apo ekonomike. Pas përfundimit të këtij prezentimi të Zt. Beshiri, u.d. dekani i Fakultetit Juridik, profesori Islam Qerimi, falenderoi ate për informimin me një konglomerat të dhënash krahasuese të kësaj natyre dhe kërkoi të hapet debati në mes të pranishmëve, ku kishte musafir të shumtë, siç bie fjala deputetja e Kuvendit të Kosovës, znj. Fjolla Ujkani, pjesëtar të organeve të rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, staf akademik, administrativ dhe studentë të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Debati u bë shumë i gjallë kur të pranishimit përmenden raste konkrete mbi gjendjen aktuale të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në shoqërinë tonë. Prandaj, ata aluduan se e gjithë shoqëria duhet të kontribuojnë në pengimin, parandalimin e këtyre dukurive përmes masave të informimit, edukimit dhe arsimimit, punësimit dhe respektimit të barazisë ndërgjinore në të gjitha domenet e jetës. Gjithashtu, apeluan që rastet e tilla të paraqiten në organet kompetente për të parandaluar format e kësaj dhune të shëmtuar.

Në përmbyllje të kësaj ligjërate, u.d. dekani Qerimi i përgëzoi Qendrën për Zhvillim të Karrierës (QZHK) dhe Parlamentin Studentor për organizimin e një ligjërate të kësaj natyre e cila është gjithëherë e mirëseardhur për Fakultetin Juridik, si dhe për tërë shoqërinë tonë shqiptare e cila ka për qëllim zhdukjen sa më të shpejtë të patriarkalizmit nga mendjet tona, sepse pa respektimin e plotë të gruas në çdo segment të jetës private dhe publike ne nuk do të kemi as përparim kulturor, ekonomik, politik, akademik, shtetëror etj.

 

Please follow and like us: