Studentë dhe nxënës të shkollave të mesme kanë marrë pjesë në një ligjëratë për ndërgjegjësimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, që u mbajt të mërkurën në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Ligjërata u organizua nga organizata joqeveritare “Premisa”, në kuadër të projektit “Rritja e Ndërgjegjësimit dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore përmes Teknologjisë dhe Metodave Inovative”.
Zyrtari i Lartë për Zhvillim në Karrierë, Erzen Isufi, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi organizatorët për këtë mundësi të ofruar për studentët e UIBM. Ndërsa, drejtori i OJQ “Premisa”, Ramadan Beshiri, vlerësoi bashkëpunimin me UIBM dhe foli për rëndësinë përfshirjes së të rinjve në projekte të këtilla për trashëgimin kulturore.
Ligjëratën në kuadër të projektit “Rritja e Ndërgjegjësimit dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore përmes Teknologjisë dhe Metodave Inovative”, e mbajti Milot Berisha, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës. Ai theksoi se ligjërata synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, si dhe përdorimin e teknologjisë në këtë proces.
