Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u mbajt të hënën ceremonia e nënshkrimit të deklaratave të angazhimit për pjesëmarrje në Programin e Trajnimit BlockJump – Blockchain & Web3 (Niveli Fillestar). Ky projekt prej të cilit kanë përfituar bursa 55 studentë do të realizohet në kuadër të bashkëpunimit të UIBM me “BlockJump Kosovo”.
Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva ka falënderuar drejtuesit e “BlockJump Kosovo” për mundësitë që kanë krijuar për studentët e UIBM. Gjithashtu ajo ka uruar studentët përfitues, të cilët të gjithë trajnimin e kanë falas duke pasur parasysh bursat e sigurua prej “BlockJump Kosovo”.
Ndërsa, Liridona Syla nga “BlockJump Kosovo”, tha se trajnimi BlockJump – Blockchain & Web3 (Niveli Fillestar), do të mbahet onlin dhe fizikisht në orar të përshtatshëm për studentë. “Trajnimi do të zgjas dy muaj e gjysmë, dy herë deri tre herë në javë, varësisht prej organizimit”, tha ajo, duke potencuar mundësitë e mira që ofrohen si dhe qasjen e mirë të drejtuesve të UIBM për realizimin e këtij projekti.
Në deklaratat e angazhimit për pjesëmarrje, studentët janë zotuar të marrin pjesë rregullisht në të gjitha sesionet e trajnimit, të ndjekin trajnimin në tërësi, sipas orarit dhe rregullave të përcaktuara nga organizatorët etj. Trajnimi pritet të fillojë me 18 shkurt 2026.
