Tre grupe studentësh, të organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës dhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), kanë mbajtur të enjten ditë informuese në Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri, për të gjithë ata që duan të studiojnë në UMIB. Të interesuarit janë informuar për kushtet që ofron UMIB-i, duke nisur nga kampusi që është më i miri në vend, mandej programet atraktive që sigurojnë punësim, bursa, vazhdim të studimeve jashtë vendit etj.
Alban Fazliu, zyrtar i Qendrës për Zhvillim të Karrierës, tha se ka qenë një ditë shumë e ngjeshur dhe frytdhënëse për UMIB-in. “Grupet e studentëve tanë janë pritur jashtëzakonisht mirë në të tri qytetet, ku ka pasur shumë të interesuar për mundësitë që ofron UMIB-i”.
Ndryshe në kuadër të fushatës informuese për të studiuar në UMIB, ku tashmë është hapur konkursi për regjistrim të studentëve në vitin e parë (niveli bachelor) – viti akademik 2020/21, Zyra për Informim dhe Komunikim me Publikun, është duke realizuar një sërë aktivitetesh. Në këtë kontekst, janë përgatitur fletushka me programet që ofron UMIB, mandej video promovuese që janë shpërndarë në rrjetet sociale, bilborda nëpër qytete, promo në medie etj.