Janë certifikuar studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, të cilët kanë marrë pjesë në trajnimet “Orientimi në karrierë dhe ndërmarrësi”, të organizuara nga Instituti EDUTASK në kuadër të projektit “E ardhmja kohezive”, gjatë periudhës 9–18 mars 2026. Këto trajnime u realizuan në ambientet e UIBM në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Institutin EDUTASK.

Trajnimet janë pjesë e aktiviteteve të projektit StartLab360, i cili synon fuqizimin e të rinjve përmes: trajnimit në orientim në karrierë, trajnimit në ndërmarrësi, laboratorit të inovacionit dhe Forumit Kombëtar të Rinisë.

Gjatë këtyre trajnimeve, pjesëmarrësit u pajisën me njohuri dhe shkathtësi praktike në fushën e ndërmarrësisë dhe orientimit në karrierë, duke përfshirë: kuptimin e mentalitetit sipërmarrës, mundësive dhe sfidave, zhvillimin e një ideje biznesi dhe hulumtimin e tregut, hartimin e një plani biznesi dhe transformimin e idesë në plan të zbatueshëm, prezantimin e projekteve para financuesve të mundshëm, zhvillimin e aftësive personale dhe punës në ekip, si dhe aftësitë për hartimin e CV-së dhe letrës motivuese dhe simulimin e intervistës së punës.

Në këto trajnime morën pjesë edhe nxënës nga shkollat e mesme të Mitrovicës, përfshirë Shkollën e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” dhe Shkollën e Mesme Teknike “Arkitekt Sinani”. Në përfundim të trajnimeve, studentët e UIBM-së u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e tyre profesional dhe orientimin në karrierë.

Please follow and like us: