Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), përkatësisht Qendra për Zhvillim të Karrierës (QZHK) do të bashkëpunoj me organizatën “Teach for Kosovo” (TFK), në fushën e promovimit, përkrahjes, fuqizimit dhe avancimit të  studentëve dhe të diplomuarve. Për këtë qëllim të martën u nënshkrua edhe një Marrëveshje e  Mirëkuptimit ndërmjet rektorit, prof.dr. Alush Musaj dhe drejtorit ekzekutiv të TFK-së, Egzon Gashi.

Rektori Musaj, e ka vlerësuar si një nismë të mirë bashkëpunimin me organizatën TFK. “Jemi shumë të kënaqur me mbështetjen e ofruar prej jush për Qendrën e Zhvillimit të Karrierës, e cila është duke bërë një punë shumë të mirë për studentët”, tha ai.

Ndërsa drejtori Gashi, tha se është fjala për një projekt të rëndësishëm për përgatitjen e kuadrove të reja në fushën e arsimit. Sipas tij, TFK-ja do të trajnojë një grup të studentëve ekzistues apo alumni të përzgjedhur nga UMIB-i, në aftësi të buta, zhvillim të debateve, dhe aftësive të tjera të ngjashme së paku një herë në semestër.

Në kuadër të këtij Memorandumi, TFK-ja zotohet që brenda një periudhe 2-vjeçare të përgatisë dhe organizoj së paku një sesion informues në vit për studentët e UMIB-it, për t’i informuar mbi thirrjen për aplikim në programin e fellowship-it. Gjithashtu parashihet të organizohet së paku një fokus-grup me studentët për të mbledhur informata mbi vështirësitë e tyre në përcaktimet për karrierë, si dhe për qëllime të organizatës në definimin e profilit të mësimdhënësit-lider ideal.

Në anën tjetër, përgjegjësi e UMIB-it është që të ofrojë përkrahje në organizimin e sesioneve informuese për Teach For Kosova me studentë, së paku një herë në vit duke i paraprirë hapjes së thirrjes për aplikim në programin e fellowship-it.

Please follow and like us: