Organizuar nga Qendra për Zhvillim në Karrierë u mbajt të martën në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FIMK) një ligjëratë informuese dhe edukative nga Blockchain & Crypto Academy (BCA), në bashkëpunim me Binance Academy, një prej platformave më të mëdha globale për edukim në fushën e blockchain dhe kriptomonedhave. Prof.asoc.dr. Berat Ujkani, ju ka uruar mirëseardhje studentëve dhe ka falënderuar përfaqësuesit e Blockchain & Crypto Academy (BCA) dhe Binance Academy për ligjëratën.
Ligjërata u mbajt nga Sedat Çitaku nga “Binance Akademy”, i cili tha se qëllimi është t’u ofrojë studentëve njohuri bazike, praktike dhe të siguruara nga burime profesionale, për t’i orientuar ata drejt kuptimit dhe shfrytëzimit të përgjegjshëm të teknologjive moderne. Ai ka shpjeguar se çka është Blockchain, si funksionojnë kriptovalutat, siguria dhe teknologjia që qëndron prapa tyre, si të shmangen mashtrimet dhe keqinformimi në tregun kripto, përdorimi i platformave të sigurta edukative, si Binance Academy dhe potenciali i Blockchain në industri dhe mundësitë e karrierës dhe certifikimit profesional.
Kjo ligjëratë është vlerësuar si një mundësi e mirë për studentët që të zgjerojnë njohuritë e tyre në një prej fushave më inovative dhe kërkuara në tregun global të punës.
