Me qëllim të lehtësimit të marrjes së informacionit nga studentët për mundësitë e punësimit në kompani të ndryshme publike dhe private, Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me “KosovaJob”, një platformë punësimi në Kosovë. Për të specifikuar fushat e bashkëpunimit dhe ndarë detyrat dhe përgjegjësitë të mërkurën është nënshkruar edhe një Memorandum Bashkëpunimi nga rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva dhe drejtori i “KosovaJob”, Shkamb Kerleshi.
Përveç promovimit reciprok, në bazë të Memorandumit të Bashkëpunimit, palët do të angazhohen në aktivitete të përbashkëta, si trajnime, sesione informimi etj. UIBM do të ofrojë hapësira të nevojshme për aktivitetet e partnerit, ndërsa KJ do të organizojë sesione informuese për studentët mbi përdorimin e platformës, gjatë vitit akademik për të ndihmuar studentët në përdorimin e saj në mënyrë më efektive.
Informacionet për konkurset e punësimit të kësaj platforme do të ofrohen për studentë nëpërmjet linqeve përkatëse në uebfaqen e Qendrës për Zhvillim në Karrierë në UIBM. Zyrtari i Lartë i QZHK-së, Erzen Isufi, tha se po provohet që të lehtësohet dhe pasurohet informacioni për studentë, të cilët janë të interesuar të bëhen pjesë e trajnimeve të ndryshme dhe të gjithashtu të gjejnë vende pune.
