Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u mbajt të enjten trajnimi: “Fuqizimi i të Rinjve”, organizuar nga “Coca-Cola HBC” dhe “Innovation Centre Kosovo” (ICK) në partneritet me “London School” dhe Qendrën për Zhvillim në Karrierë në UIBM. Pjesë e këtij trajnimi, që ishte një mundësi unike për ata që duan të zhvillojnë aftësitë e tyre personale dhe profesionale, u bënë një numër i madh i studentëve të UIBM.
Fillimisht prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi, ju ka uruar mirëseardhje të gjithë të pranishmëve dhe ka falënderuar organizatorët për këtë mundësi që kanë ofruar për studentët. Të pranishmit i ka përshëndetur edhe drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu dhe drejtoresha e “London School”, Albina Hoti.
Mandej ka vazhduar pjesa e trajnimit, ku Gent Shala ka folur për “Leadership & Soft Skills Trainer”, Shenaj Shala si “Motivational Speaker” dhe Valon Canhasi për “Future Skills & Artificial Intelligence”. Qëllimi i këtij trajnimi ishte t’i ndihmojë të rinjtë e moshës 16–30 vjeç të përgatiten më mirë për tregun e punës, të zhvillojnë aftësitë e komunikimit, lidershipit dhe mendimit kritik, si dhe të frymëzohen nga ligjërues me përvojë shumëvjeçare në fushat e tyre profesionale.
Zyrtari i Lartë i Qendrës për Zhvillim në Karrierë, Erzen Isufi, tha se pjesëmarrësit patën mundësi që nga trajnimi të mësojnë për zhvillim e aftësive të buta (soft skills), njohuri mbi tregun modern të punës dhe trendet teknologjike, frymëzim dhe vetëbesim për të ndërtuar karrierën personale, rrjetëzim profesional me ekspertë dhe pjesëmarrës të tjerë. Ai falënderoi organizatorët dhe ligjëruesit për angazhimin e tyre dhe vlerësoi interesimin e studentëve për të qenë pjesë e këtij aktiviteti.
